Vënia në funksion e trafostacionit të ri "Shtip 1" inkurajon zhvillimin lokal në rajonin e Shtipit. Në fillimin zyrtar të funksionimit të trafostacionit morën pjesë kryetari i Bordit drejtues të EVN Maqedoni, z. Vollfgang Maier dhe kryetari i komunës së Shtipit, z. Ivan Jordanov.
“Kënaqja e nevojave të konsumatorëve tanë dhe siguria e furnizimit janë gjithmonë faktorë kyç në krijimin e qëllimeve afatgjata të kompanisë. Jemi të lumtur që u mundësojmë qytetarëve të Shtipit furnizim edhe më të mirë me energji elektrike dhe që mbështesim idetë e tyre për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme”, tha kryetari i Bordit Drejtues të EVN Maqedoni, z. Vollfgang Maier.
Gjatë vizitës u diskutuan mundësitë për investime shtesë në rrjetin e distribuimit, në interes të zhvillimit lokal.
Kryetari i Komunës së Shtipit, z.Ivan Jordanov, falënderoi kompaninë dhe njoftoi se bashkëpunimi ndërmjet komunës dhe kompanisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Me bashkëpunim të shkëlqyeshëm arritëm një tjetër synim domethënës që do t'i shërbejë vazhdimisht qytetarëve. Kjo përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës, por edhe kushtet për të bërë biznes dhe investim në energjinë e gjelbër, që është në përputhje me Strategjinë tonë për Efiçiencë të Energjisë, e cila parasheh që përdorimi i energjisë së rinovueshme të rritet me 20% deri në vitin 2026” tha z. Jordanov.
Përmirësimi i fundit i trafostacionit "Shtip 1" u mundëson përdoruesve ekzistues të rajonit të Shtipit furnizim të sigurt dhe cilësor me energji elektrike, përkundër kyçjes në rrjetin distributiv të konsumatorëve të ardhshëm dhe prodhuesve potencialë të energjisë së rinovueshme. Ky investim i madh në vlerë prej 2 milionë euro drejtpërdrejt inkurajon dhe mbështet zhvillimin ekonomik të rrethinës së Shtipit, duke marrë parasysh dinamikën e përshpejtuar dhe interesimin në rritje të qytetarëve për ndërtimin e objekteve prodhuese nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.